Certifikata për 315 shërbyes civil, ndoqën program të veçantë
315 shërbyes civil kanë marr certifikata, si pjesëmarrës të suksesshëm në programin “Zvogëlimi dhe Parandalimi i Barrës Administrative”, në një ceremoni solemne të organizuar nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, tha se ky program trajnimi është dëshmi e një bashkëpunimi të frytshëm dhe të qëndrueshëm ndërinstitucional mes Institutit, Zyrës për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit dhe projektit të mbështetur nga GIZ, me mandat nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe të bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian.
“Dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të veçantë për përfaqësuesit ndërkombëtarë që na mbështesin në këtë proces të rëndësishëm reformues”, ka thënë ndër të tjera, Gashani.
Tha se trajnimet për zvogëlimin barrës administrative nuk janë vetëm një çështje teknike, por pjesë thelbësore e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve.
“Sa më efikase, më të thjeshta dhe më transparente të jenë procedurat tona, aq më shumë do të rritet besimi i qytetarëve dhe bizneseve në institucionet tona, theksoi Gashani. /Kosova.info/
