Çeku: BIA serbe dhe mafia energjetike po tentojnë të ndikojnë në formimin e Qeverisë Kurti 3
Gazetari investigativ, Fitim Çeku, ka ngritur akuza serioze në drejtim të shërbimit sekret serb dhe mafies energjetike duke pretenduar se po ndërhyjnë drejtpërdrejt në procesin e formimit të Qeverisë së re në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Çeku tha se disa ditë më parë ka bërë të ditur hyrjen në veri të vendit të një automjeti zyrtar të shërbimit sekret serb, BIA, me targa BG-2198-SL, i cili sipas tij kishte për qëllim të ndikonte tek katër deputetë të Listës Serbe që të votojnë për një qeveri të re nën drejtimin e Albin Kurtit. Këtë pretendim, siç thekson Çeku, e ka konfirmuar më pas edhe deputeti Elbert Krasniqi, i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Sot, burimet ndërkombëtare më kanë konfirmuar se ekzistojnë dëshmi dhe audio-incizime që provojnë përfshirjen e BIA-s në kontakte me disa deputetë shqiptarë të Kuvendit, për të ndikuar në krijimin e Qeverisë Kurti 3,” thekson Çeku.
Ai akuzon gjithashtu mafien energjetike serbe, e udhëhequr sipas tij nga Martin Berishaj, për tentime për blerje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës me qëllim të vazhdimit të ndikimit të saj ekonomik në vend përmes qeverisë së re.
“Kjo është një shkelje e rëndë e sigurisë kombëtare dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional,” përfundon Çeku duke kërkuar hetim dhe transparencë për këto zhvillime të ndjeshme.
Për momentin nuk ka asnjë reagim zyrtar nga institucionet shtetërore lidhur me këto pretendime. /Kosova.info/
