Çfarë dihet për luftën e Rusisë në Ukrainë?

Associated Press

Sulmi rus kundër Ukrainës hyri në ditën e tij të 12-të pas atyre që autoritetet ukrainase i përshkruan si bombardime të intensifikuara të qyteteve të rrethuara dhe një tjetër përpjekjeje të dështuar për të nisur evakuimin e qindra mijëra civilëve nga zonat e rrethuara nga forcat ruse, duke përfshirë portin jugor të Mariupolit.

Rusia njoftoi një tjetër armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare për të lejuar civilët të largohen nga Ukraina të hënën, por asgjë nuk ka ndodhur deri më tani. Dy përpjekjet e mëparshme për armëpushim kanë dështuar dhe forcat ruse vazhdojnë të godasin qytetet ukrainase me raketa.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë thirrje për një bojkot global të të gjitha produkteve ruse, përfshirë naftën, përpara një raundi të tretë bisedimesh midis zyrtarëve rusë dhe aktyre ukrainas të planifikuar për të hënën.

Më shumë se 1.7 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi që nga fillimi i luftës. Presidenti Zelenskyy i kërkoi popullit të tij të vazhdonte rezistencën dhe ministri i jashtëm i Ukrainës tha se më shumë se 20,000 njerëz nga 52 vende kanë shprehur në mënyrë vullnetare dëshirën për të luftuar në legjionin e sapokrijuar ndërkombëtar të Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin i konsideroi sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë si një veprim të ngjashëm me “shpalljen e luftës”.

Këto janë gjërat kryesore që duhet të dini rreth luftës:

DHUNA NDËRPRET EVAKUIMET E PLANIFIKUARA TË CIVILËVE

Moska ka ofruar hapjen e korridoreve të evakuimit kryesisht drejt Rusisë dhe aleatit të saj Bjellorusisë, duke shkaktuar kritika të forta nga Ukraina dhe vendet e tjera.

Këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko, ka fajësuar sulmet ruse me artileri për ndërprerjen e përpjekjeve për evakuimin e rreth 200,000 civilëve nga Mariupoli, ku ka mungesa të ushqimit, ujit dhe ilaçeve. Presidenti Putin akuzoi Ukrainën për sabotim të përpjekjeve.

Rusia po përpiqet të bllokojë qasjen e Ukrainës në Detin Azov, në jug të vendit. Pushtimi i Mariupolit mund t’i lejojë Rusisë krijimin e një korridori tokësor që do ta lidhte atë me Krimenë, të cilin e aneksoi në 2014.

CILAT JANË ZHVILLIMET E TJERA NË TERREN?

Forcat ruse kanë kryer qindra sulme me raketa dhe artileri, duke hedhur bomba të fuqishme në zonat e banuara të Çernihivit, një qytet në veri të kryeqytetit të Kievit, thanë zyrtarët ukrainas. Por një autokolonë e blinduar ruse rreth 60 kilometra e gjatë që kërcënon kryeqytetin mbetet e bllokuar jashtë Kievit.

Të dielën në mbrëmje, edhe Mikolaivi në jug dhe Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i vendit, u goditën me artileri nga forcat ruse.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha të dielën se Shtetet e Bashkuara besojnë se rreth 95% e forcave ruse që ishin vendosur rreth Ukrainës janë tani brenda vendit. Mbrojtja ajrore dhe raketore e Ukrainës mbeten efektive, dhe ushtria ukrainase vazhdon të përdorë avionët dhe mjetet e mbrojtjes ajrore, tha zyrtari amerikan.

Forcat ukrainase po mbrojnë edhe Odesën, qytetin port më të madh të Ukrainës, nga anijet ruse, tha këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovich.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të dielën planet për të goditur kompleksin ushtarako-industrial të Ukrainës dhe tha se forcat e dyshuara ukrainase po komplotonin të hidhnin në erë një reaktor bërthamor eksperimental në Kharkiv dhe ta fajësonin Rusinë veprimin e tyre. Zyrtarët rusë nuk ofruan asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tyre, të cilat nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

ZELENSKYY VAZHDON THIRRJET PËR VENDOSJEN E NJË ZONE NDALIM-FLUTURIMI MBI UKRAINË

Presidenti Zelenskyy u bëri thirrje vendeve të huaja që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. Krijimi i një zone ndalim-fluturimi do të rrezikonte përshkallëzimin e konfliktit duke përfshirë drejtpërdrejt ushtritë e vendeve të huaja. Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende perëndimore kanë mbështetur Ukrainën me dërgesa armësh, ato nuk kanë dërguar trupa në këtë vend.

Presidenti Zelenskyy tha në një fjalim të dielën se “bota është mjaft e fortë për të mbyllur qiejt tanë” dhe gjatë fundjavës ai u kërkoi zyrtarëve amerikanë të ndihmonin vendin e tij të furnizohet me avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e tij ajrore.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha të dielën se disa avionë luftarakë ukrainas ishin dislokuar në Rumani dhe fqinjë të tjerë të Ukrainës, të cilët ai nuk i identifikoi. Ai paralajmëroi se një sulm nga avionët që operojnë nga këto vende mund të konsiderohet si një përfshirje e tyre në konflikt.

INFORMACIONET E KONFIRMUARA NGA ASSOCIATED PRESS

Në një video të publikuar nga qeveria ukrainase mund të shihen një numër dëshmitarësh në Çernihiv, duke brohoritur ndërsa një aeroplan ushtarak rus rrëzohet në tokë. Në Kherson, qindra protestues valëvitën flamujt e Ukrainës dhe brohorisnin “shkoni në shtëpi” ndërsa një autokolonë ruse lëvizte në rrugët e qytetit.

Në Mariupol, gazetarët e Associated Press panë mjekët duke u përpjekur pa sukses të shpëtonin fëmijët e plagosur. Farmacitë janë pothuajse të zbrazura dhe qindra mijëra njerëz po përballen me mungesa ushqimi dhe uji në një mot të ftohtë.

Në Irpin, afër Kievit, një lum njerëzish po ecnin në këmbë, disa prej tyre me karroca dore mbi rrënojat e një ure të shkatërruar për të kaluar një lum në përpjekjet e tyre për t’u larguar nga qyteti. Të ndihmuar nga ushtarët ukrainas, ata morën kafshët shtëpiake, foshnjat dhe çantat e mbushura me gjërat bazë. Disa persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit u transportuan përgjatë shtegut me batanije dhe karroca.

Stacioni qendror i trenit në Kievit vazhdon të jetë i mbushur me njerëz të dëshpëruar që po përpiqen të largohen nga qyteti ndërsa bombardimet e shpeshta mund të dëgjohen nga qendra e kryeqytetit të vendit.

ÇFARË PO NDODH ME PËRPJEKJET DIPLOMATIKE?

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndodhet në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, në kuadër të një turneu në tre shtetet baltike, anëtare të NATO-s, gjithnjë e më të shqetësuara nga sulmi i Rusisë në Ukrainë. Ai u zotua se NATO dhe Shtetet e Bashkuara do të mbështesin këto vende.

Sekretari Blinken tha të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë duke patur një “diskutim shumë aktiv” rreth ndalimit të importit të naftës dhe gazit natyror rus, ndërsa qeveria e Zelandës së Re planifikon të nxitojë legjislacionin që do t’i hapte rrugën vendosjes së sanksione ekonomike ndaj Rusisë.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës do të takohen pranë qytetit bregdetar turk të Antalias në Mesdhe këtë javë.

Ministri i Jashtëm i Kinës e quajti Rusinë “partnerin më të rëndësishëm strategjik” të Pekinit dhe ka vazhduar të refuzojë të dënojë sulmin ndaj Ukrainës.

Ndërsa shumica e botës i shmanget Putinit, një nga udhëheqësit e paktë që mban një linjë të hapur komunikimi me udhëheqësin rus është presidenti francez Emmanuel Macron. Megjithatë, zoti Macron në një intervistë të hënën për rrjetin francez LCI kritikoi retorikën “hipokrite” dhe “cinizmin” e Moskës për ofertën e hapjes së korridoreve humanitare drejt Rusisë për civilët ukrainas. “Ky është cinizëm” që është “i padurueshëm”, tha ai.

Ndërkohë, avokatët rusë kundërshtuan një seancë dëgjimore në gjykatën e lartë të OKB-së pas një përpjekje të Kievit për të ndalur sulmin shkatërrues të Rusisë ndaj Ukrainës.

Presidenti Putin vazhdoi të fajësonte për luftën udhëheqjen ukrainase, duke thënë se: “Ata po vënë në pikëpyetje të ardhmen e shtetësisë ukrainase”. Në një telefonatë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan të dielën, presidenti Putin tha se sulmi mund të ndalet “vetëm nëse Kievi pushon armiqësitë”, sipas një njoftimi të Kremlinit.

SITUATA HUMANITARE

Deri më tani, ka qenë mjaft e vështirë të mësohet me saktësi numri i viktimave të konfliktit. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha të hënën se ka konfirmuar vdekjen e 406 civilëve që nga fillimi i sulmit rus. OKB tha se 801 civilë të plagosur janë konfirmuar që nga mesnata e së dielës. OKB thotë se beson se shifrat reale janë dukshëm më të larta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ka verifikuar të paktën gjashtë sulme që kanë shkaktuar vrasjen e gjashtë punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe plagosjen e 11 të tjerëve.

Refugjatët ukrainas vazhdojnë të vërshojnë në vendet fqinje, duke përfshirë Poloninë, Rumaninë dhe Moldavinë. Numri i njerëzve që janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftimeve ka arritur në 1.7 milionë, tha të hënën agjencia e OKB-së për refugjatët.

Ukraina ka refuzuar propozimin rus për evakuimin e refugjatëve drejt Rusisë dhe Bjellorusisë, duke e quajtur atë të “papranueshëm”.

BIZNESI NË RUSI

Një numër në rritje i bizneseve ndërkombëtare janë tërhequr nga Rusia, sektori i saj jetik financiar, teknologjia dhe një numër produktesh të konsumit në përgjigje të sanksioneve ekonomike perëndimore dhe zemërimit global për luftën.

Dy nga katër firmat më të mëdha të kontabilitetit në botë, KPMG dhe PricewaterhouseCoopers, thanë të dielën se po tërhiqeshin nga Rusia, duke i dhënë fund marrëdhënieve me firmat anëtare me bazë në vend.

TikTok tha se përdoruesit nuk do të jenë në gjendje të postojnë video të reja në Rusi në përgjigje të goditjes së qeverisë ndaj asaj që njerëzit mund të thonë në mediat sociale për sulmin në Ukrainë, dhe American Express njoftoi se po pezullonte të gjitha operacionet në Rusi dhe Bjellorusi.

Netflix gjithashtu njoftoi se ka pezulluar shërbimet e saj në Rusi.

Go to TOP