Buxhovi: Kisha ortodokse serbe në prishtinë, objekti i dhunshëm i Millosheviqit

Peshkopata Rashkë-Prizren ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të historianit Jusuf Buxhovi në emisionin “Konfront” të Kohavisionit, ku ai e cilësoi kishën ortodokse serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës si një objekt të dhunshëm të ndërtuar nga regjimi i Millosheviqit.

Buxhovi theksoi se gurëthemeli i kësaj kishe u vendos nga forcat paramilitare serbe të udhëhequra nga Arkan dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe në Beograd, gjatë viteve ’90. Ai argumentoi se objekti duhej të ishte shembur menjëherë pas luftës ose të kthehej në një muze të gjenocidit serb, në vend që të legalizohej tri vite më parë për shkak të mungesës së mbrojtjes juridike nga Universiteti i Prishtinës.

Sipas tij, legalizimi i këtij objekti ka trimëruar Kishën Ortodokse Serbe, e cila tani po e përdor këtë si një mjet për të përvetësuar trashëgiminë historike dhe kulturore të Kosovës. Ai kritikoi edhe Akademinë e Shkencave të Kosovës, Institutin e Historisë dhe atë Albanologjik për mungesën e një reagimi të duhur kundër propagandës serbe.

Peshkopata Rashkë-Prizren e ka cilësuar deklaratën e Buxhovit si “nxitje shoviniste ndaj popullit serb dhe historisë së tij mesjetare”. Megjithatë, Buxhovi insistoi se qasja e Kishës Ortodokse Serbe është pjesë e një strategjie hegjemoniste, e cila tenton të diktojë diskursin historiografik të Kosovës në përputhje me politikat e Beogradit. /Kosova.info/


Go to TOP