BSPK mbështet protestën e punëtorëve të RTK-së për pagat
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shprehur mbështetje për protestën e paralajmëruar nga Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), e cila do të mbahet të enjten, më 13 nëntor 2025, para hyrjes, në objektin e RTK-së.
Sipas BSPK-së, punëtorët e transmetuesit publik po përballen për herë të dytë brenda pak muajsh me vonesa në paga dhe me mungesë të dialogut social, gjë që sipas sindikatës cenon dinjitetin e punëtorëve dhe minon besimin qytetar në funksionimin e institucioneve publike.
“Punëtori nuk mund të trajtohet si shifër buxhetore, sepse ai është themeli i çdo institucioni, përfshirë edhe transmetuesin publik të vendit. Në një demokraci të vërtetë, zëri i punëtorit duhet të dëgjohet dhe të respektohet, jo të injorohet”, theksoi Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.
BSPK bën thirrje që të gjitha institucionet përgjegjëse të ndërmarrin menjëherë masa për pagesën e pagave, garantimin e stabilitetit financiar të RTK-së dhe rivendosjen e dialogut social me përfaqësuesit sindikalë.
“Kur ngrihet punëtori, ngrihet vetë ndërgjegjja e këtij vendi”, përfundoi Hykolli, duke konfirmuar mbështetjen e plotë të BSPK-së për protestën. /Kosova.info/
