Briken Calja shkëlqen në Batumi, kampion Evrope në shtytje
Batumi u rikthye sërish si një skenë suksesi për peshëngritjen shqiptare, ku Briken Calja arriti një tjetër rezultat të madh në karrierën e tij të pasur.
Në Kampionatin Evropian 2026, në kategorinë deri në 79 kilogramë, Calja u shpall kampion Evrope në stilin e shtytjes, ndërsa siguroi medaljen e argjendtë në dygarësh, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e tij të lartë ndërkombëtar.
Peshëngritësi nga Elbasani, vazhdon të sfidojë vitet me performancë dhe qëndrueshmëri, në një disiplinë ku zakonisht kulmi arrihet në moshë më të re. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në tri Lojëra Olimpike, me rezultatin më të mirë vendin e katërt në Tokyo 2020, ku regjistroi një total prej 341 kilogramësh.
Karriera e Caljes është e mbushur me suksese. Ai u shpall kampion Evrope në vitin 2018 në Bukuresht, ndërsa në Kampionatin Botëror 2021 në Tashkent fitoi medaljen e artë në shkëputje dhe dy medalje argjendi në shtytje dhe dygarësh. Triumfi në Batumi shton një tjetër kapitull të artë, duke dëshmuar se ai mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të peshëngritjes shqiptare.
