Bordi: Raporti i ZKA-së tregon për një progres të vazhdueshëm në RTK

Bordi dhe menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës e mirëpresin raportin e auditimit për pasqyrat financiare të RTK-së për vitin 2023.

Në një komunikatë për media Bordi thotë se edhe ky raport tregon për progresin e vazhdueshëm që ka bërë transmetuesi publik në vitin e fundit.

“Në aspektin krahasues, raporti i ZKA-së për pasqyrat financiare të RTK-së për vitin 2021, kohë kur bordi aktual nuk ka qenë në detyrë, kanë qenë tetë gjetje që e kanë përcaktuar bazën për opinion të kundërt si dhe ishin dhënë 17 rekomandime”, thuhet në komunikatën e Bordit.

Pra, brenda dy viteve RTK-ja ka bërë progres të dukshëm sa i përket kontrollit të brendshëm financiar dhe menaxhimit në përgjithësi.

Në opinionin e ZKA-së të paraqitur në raportin e sapo publikuar theksohet se “Përveç efekteve të çështjes së përshkruar në paragrafin baza për opinion të Kualifikuar, Pasqyrat Financiare të bashkëngjitura për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2023, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale të pozitës financiare të Radio Televizionit te Kosovës deri me 31 dhjetor 2023, performancës se saj, si dhe rrjedhës se parasë së gatshme për vitin 2023, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare te Raportimit Financiar (SNRF)”.

Raporti po ashtu konstaton se të gjitha rekomandimet e vitit 2022 janë zbatuar nga RTK-ja, gjë që tregon për nivelin e përkushtimit dhe rritjen e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies në transmetuesin publik.

Gjetjet tjera administrative që janë evidentuar, edhe pse nuk e kanë ndikuar bazën për opinion, sipas Bordit, do të trajtohen me seriozitet. “Për këtë qëllim tashmë është miratuar rregullorja e re e procedurave të konkursit”.

“Raporti i ZKA-së përmban gjashtë rekomandime të reja dhe një i vjetër (çështja e pronës si i zbatuar pjesërisht). Këto rekomandime do të trajtohen me seriozitet. Në ditët në vijim do të krijohet një plan i veprimit dhe të gjitha rekomandimet do të zbatohen në një afat sa më të shpejtë kohor”, thuhet në reagimin e Bordit të RTK-së. /Kosova.info/

Go to TOP