Bislimi takon zyrtarin evropian, e njofton më detajisht për agresionin e Serbisë të 24 shtatorit

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, priti në takim Zëvendësdrejtorin për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Makovec shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen me 24 shtator të tashmë Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në njoftim bëhet e ditur se në këtë takim ata kanë folur për agresionin në veri.

“U diskutua më hollësisht rreth këtij agresioni terrorist, paramilitar e kriminal, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi z. Makovec rreth detajeve të këtij operacioni që shpërfaqin objektivat e Serbisë me synim në destabilizimin e rajonit. Gjithashtu në takim u bisedua dhe mbi pritshmëritë në kuadër të agjendës së integrimeve evropiane”.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Republika e Kosovës e vlerëson lartësisht iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim. U theksua dhe se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave”, thuhet tutje në komunikatë.

Go to TOP