Bislimi takon drejtorin e SIDA-s, diskutojnë për investime dhe digjitalizim
Zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), Jacob Granit. Në takim, mes tjerash u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si investimet, shkëmbimi tregtar, teknologjia dhe digjitalizimi.
Në këtë takim, i cili shënon vizitën e parë të Granit në Kosovë, u diskutua mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë në fusha të ndryshme, përfshirë investimet, shkëmbimin tregtar, teknologjinë dhe digjitalizimin.
Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, theksoi progresin dhe zhvillimin që ka njohur vendi në katër vitet e fundit, duke theksuar rëndësinë e një rritjeje të qëndrueshme dhe të shpërndarë në mënyrë të barabartë drejt qytetarëve. Ai gjithashtu veçoi rritjen e shpejtë të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe perspektivën e mundësive që Kosova ofron përmes një ambienti të favorshëm për të bërë biznes.
“Bislimi e falënderoi drejtorin Jacob Granit për vizitën e tij në Kosovë e takimin e sotshëm, duke shprehur mirënjohjen për partneritetin e ngushtë dhe marrëdhëniet e fuqishme mes Kosovës dhe Suedisë”, theksohet në njoftim.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund. /Kosova.info/

