Bislimi pjesëmarrës në ngjarjen e zhvilluar në kuadër të publikimit të “White Book 2023”
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në ngjarjen e zhvilluar në kuadër të publikimit të “White Book 2023” nga Këshilli i Investitorëve Evropian.
Bëhet e ditur se ky dokument jep rekomandime e sugjerime strategjike nga burime të ndryshme e të sektorëve të ndryshëm brenda atij privat.
Në fjalën e tij, Bislimi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës që në fillim të mandatit ka potencuar dy synime kryesore: punë dhe drejtësi.
“Komponent i rëndësishëm në promovimin e këtyre objektivave e sidomos në rritjen e punësimit, është edhe rritja e investimeve të huaja. Indikatorët makroekonomikë e sidomos ato që lidhen me rritjen e punësimit dhe investimeve të huaja në këtë mandat kanë shënuar rritje të dukshme”, deklaroi ai.
Zëvendëskryeministri shtoi se rekomandimet e këtij publikimi do të shërbejnë për ne si udhërrëfyes për të parë se në cilat fusha mund të bëjmë edhe më shumë dhe se Kosova ofron ambient atraktiv të të bërit biznes, dhe lehtësira e masa incentivuese si regjistrim të biznesit pa kosto administrative apo regjistrim i shpejtë i biznesit për vetëm dy ditë.
