Bislimi falënderon Norvegjinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në takimin me Blankenborg dhe pasuesin e tij

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim lamtumirës Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, i cili shoqërohej dhe nga pasuesi i tij në këtë pozitë, Eirik Nestås Mathisen. 

Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e pareshtur të Norvegjisë ndaj Kosovës. Më tej, u bisedua mbi situatën në vend dhe progresin e katër viteve të fundit, ku zëvendëskryeministri theksoi ndër të tjera rritjen ekonomike, rritjen e punësimit me theks tek të rinjtë dhe gratë, mbështetjen për herë të parë përmes shtesave për fëmijë dhe nënat lehona, fillimi i operimit në bilanc pozitiv i ndërmarrjeve publike, apo edhe sundimi i ligjit. 

Të arriturat e tjera të cilat ishin fokus i bisedës ishin edhe suksesi me liberalizimin e vizave, puna e zhvilluar në kuadër të Planit të Rritjes apo edhe rankimi i lartë i Kosovës në matjet dhe indekset ndërkombëtare që qëndrojnë si dëshmi e zhvillimit demokratik të vendit. 

U vlerësua dhe arritja së fundmi e marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtetet anëtare të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Norvegjia, duke shtuar kështu mundësitë për shkëmbime dhe bashkëpunim më të madh ekonomik e tregtar mes nesh. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal, krahas thellimit të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me shtetet e tjera të Evropës. /Kosova.info/

Go to TOP