Bie numri i vrasjeve në vend, rritet numri i rasteve të dhunës në familje
Gjatë nëntë muajve të këtij viti, përkatësisht në periudhën janar – shtator është shënuar rënie e numrit të vrasjeve në vend. Të dhënat janë bërë publike sot, në raportin e Departamentit të Rendit Publik, ku bëhet e ditur se rënie kanë shënuar edhe aksidentet me lëndime trupore dhe ato me fatalitet.
Në Kosovë gjatë këtij viti është shënuar rënie e numrit të vrasjeve. Kështu thuhet në raportin analitik nëntëmujor të Departamentit të Rendit Publik. Deri sa vitin e kaluar, policia kishte regjistruar 25 vrasje, gjatë këtij nëntëmujori, në Kosovë kanë ndodhur 14 raste të tilla.
Ajo që bie në sy është numri në rritje i rasteve të dhunës në familje. Nga 1897 raste sa ishin vitin e kaluar, brenda nëntë muajve të këtij viti, numri është rritur në 1981 raste, apo 4 për qind më shumë.
Sipas raportit, ka një rënie të lehtë të veprave tjera, si të rasteve të lëndimeve të rënda trupore, me -2,4 për qind dhe të lëndimeve të lehta trupore me -0,75 për qind.
Rënie kanë shënuar edhe vjedhjet në shkallën prej -9,9 për qind. Në këtë kuadër më së shumti kanë rënë vjedhjet e rënda, për -23.5 %. Rënie për -12.3 për qind kanë shënuar edhe grabitjet, theksohet në raportin e publikuar sot nga Departamenti i Rendit Publik.
Raporti sjell edhe statistikat e aksidenteve në trafik, të cilat thuhet se në përgjithësi kanë shënuar rënie për -2.4%.
Nga raporti duhet veçuar rënien e përqindjes së aksidenteve me lëndime trupore për -0.86% si dhe aksidenteve me fatalitet, me një rënie prej -14.5%.
Sipas raportit nëntëmujor të Departamentit të Rendit Publik, rritje kanë shënuar gjobat në trafikun rrugor prej 21.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rritje prej 26.3 %, ndërkaq, janë regjistruar edhe për numrin e armëve të konfiskuara, gjithsej 1186 armë. Në raport theksohet se për të gjitha rastet, policia çmon lartë bashkëpunimin me qytetarët dhe falënderon ata për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të rritjes së sigurisë publike në përgjithësi.