Berisha: LDK nuk shërohet me përçarje, as me “fshesa” e kërcënime

Avokati Besnik Berisha ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke kritikuar ndarjen e partisë në “të vjetër” dhe “të rinj”, si dhe gjuhën që, sipas tij, po përdoret nga kryetari Lumir Abdixhiku.

Berisha thekson se Abdixhiku vetëm dy ditë më parë kishte përmendur sërish dorëheqjen, ndërsa sot po paralajmëron “fshesë” për figurat e vjetra të partisë. Sipas tij, kjo tregon ose një pendesë, ose një kuptim se Kuvendi i partisë nuk ia “pranon” një qasje të tillë, pavarësisht përpjekjeve për ta mbushur sallën me duartrokitës.

“Një gjë është e qartë: LDK nuk shërohet duke u përçarë. Nuk ndërtohet reforma duke e kthyer partinë në luftë të brendshme. Nuk udhëhiqet LDK me kërcënime, me lista e me ‘spastrime’,” ka shkruar Berisha.

Ai thekson se LDK nuk është pronë e askujt, as e të vjetërve, as e të rinjve dhe as e kryetarit aktual. Në këtë kontekst, Berisha i ka dhënë edhe një këshillë direkte Lumir Abdixhikut.

“Këshilla ime për Lumirin: mirë do ishte me ndalë gojën dhe me kontrollu dorën. LDK është më e madhe se ambicia e kujtdo që dështimin e shpërndan te anëtarësia, ndërsa meritat ia atribuon vetes,” thekson ai.

Në fund, Berisha paralajmëron se momenti kur kryetari fillon t’i trajtojë njerëzit si pengesa, është momenti kur partia fillon t’i humbasë të gjithë.

“Mos ta harrojmë: kur kryetari i sheh njerëzit si pengesa, partia nis rrugën e humbjes,” përfundon reagimi i tij. /Kosova.info/


Go to TOP