Berisha: Deklarimi i Abdixhikut është përmbajtje, konsistencë dhe simbolikë – jo përgjigje për Kurtin, por kontratë me qytetarin

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Berisha, ka komentuar deklarimin e fundit publik të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke e cilësuar atë si një mesazh me tre përbërës thelbësorë: përmbajtje, konsistencë dhe simbolikë.

Sipas Berishës, përmbajtja e këtij deklarimi ka qenë e qartë dhe e drejtpërdrejtë: LDK nuk do të bashkëpunojë me Albin Kurtin, të cilin e sheh si figurë përçuese dhe izolacioniste që përfaqëson të kaluarën, jo të ardhmen e nevojshme të Republikës. “LDK do të japë gjithçka nga vetja për të ndalur këtë rrugë të degradimit,” theksoi ai.

Në aspektin e konsistencës, Berisha tha se LDK ka ruajtur të njëjtin qëndrim pa asnjë shmangie, gjatë gjithë procesit politik që ka kaluar dhe që po kalon. “Çdo qëndrim i shpallur është mbajtur – pa asnjë devijim,” u shpreh ai.

Sa i përket simbolikës, Berisha theksoi se ky nuk është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Kurtit, por një komunikim me qytetarin. “LDK e ka lidhur kontratën politike me qytetarët, jo me zyrat e Vetëvendosjes. Legjitimiteti ynë buron nga kërkesa dhe mbështetja qytetare, jo nga pazaret politike,” përfundoi Berisha. /Kosova.info/


Go to TOP