Berisha: Aty ku ligji përdoret për t’u hakmarrë ndaj fjalës, sundon frika e injorancës
Avokati dhe analisti politik Besnik Berisha ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, po keqpërdoret ligji për të frikësuar mendimin e lirë dhe kritik në shoqëri.
Në një reagim publik, Berisha ka theksuar se “nuk ka asgjë më të rrezikshme sesa kur njerëzit që duhet ta mbrojnë ligjin, fillojnë ta përdorin atë për ta frikësuar mendimin”. Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë përbën kërcënim serioz për vetë demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
“Të flasësh, të analizosh e të kritikosh nuk është ‘cenim i përcaktimit të votuesve’, është thelbi i demokracisë. Kjo nuk është çështje interpretimi juridik, por dallimi mes shtetit të së drejtës dhe shtetit të frikës,” ka shkruar Berisha.
Ai shtoi më tej se përdorimi i ligjit për të ndëshkuar mendimin përbën devijim nga parimet themelore demokratike: “Kush nuk e kupton këtë dallim, nuk e ka humbur vetëm orientimin ligjor, por, për bindjen time, e ka humbur kuptimin e vetë shtetit. Aty ku ligji përdoret për t’u hakmarrë ndaj fjalës, nuk sundon më drejtësia, por frika e injorancës.” /Kosova.info/
