Benzema: Mbappe duhet të përshtatet me rolin e sulmuesit qendror te Real

Ish-sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, ka shprehur mendimin se Kylian Mbappe duhet të mësojë të luajë si sulmues qendror te klubi madrilen, pasi nuk mund të zhvendosë Vinicius Junior nga krahu i majtë.

Mbappe që këtë verë u transferua në Real Madrid pas përfundimit të kontratës me Paris Saint-Germain ende nuk ka arritur të gjejë formën e tij nën drejtimin e Carlo Ancelotti. Trajneri italian e ka mbajtur Vinicius në pozitën e tij të preferuar në të majtë, ndërsa Mbappe, i cili gjithashtu preferon këtë pozicion, është vendosur në qendër të sulmit.

“Problemi, sipas mendimit tim, është se Mbappe nuk është një sulmues qendror. Edhe me kombëtaren, çdo herë që luan si numër nëntë, nuk ndihet mirë, sepse nuk është pozicioni i tij”, ka deklaruar Benzema. “Në të majtë, ai ka një lojtar në të njëjtin nivel me të, Vinicius, kështu që ka një problem. Nuk mund ta vendosësh Viniciusin si numër nëntë ose në të djathtë, sepse në të majtë bën diferencën në çdo ndeshje”.

Benzema ka shtuar se Mbappe është nën shumë presion për t’u përshtatur me pozicionin e ri, duke theksuar se “ky nuk është Paris Saint-Germain”.

Go to TOP