BE-ja i quan të papranueshme sulmet e hakerëve të lidhur me Rusinë

Pas një fushate sulmesh kibernetike në disa vende evropiane, Bashkimi Evropian (BE) i bëri thirrje Rusisë të respektojë rregullat e një sjelljeje të përgjegjshme.

“Disa shtete anëtare kanë zbuluar aktivitete kibernetike që janë zhvilluar me qëllim të keq dhe i kanë lidhur ato me shtetin rus”, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, përmes një deklarate më 24 shtator.

BE-ja i vlerëson si të papranueshme aktivitetet e tilla, pasi “kërcënojnë integritetin dhe sigurinë, vlerat dhe parimet demokratike”.

Një prokuror gjerman, në fillim të këtij muaji, filloi hetime për një sërë sulmesh kibernetike që kanë pasur në shënjestër politikanët gjermanë.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka fajësuar Moskën. Rusia ka hedhur poshtë akuzat, të cilat bëhen përpara zgjedhjeve parlamentare të Gjermanisë që do të mbahen më 26 shtator.

Sipas Borrell, viktima të fushatës kibernetike janë “anëtarë të shumtë të parlamenteve, zyrtarë qeveritarë, politikanë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në BE”.

Hakerët, sipas tij, “hyjnë në sistemet kompjuterike dhe llogaritë personale vjedhin të dhëna”.

Ai paralajmëroi se BE-ja “do të marrë në konsideratë marrjen e hapave të mëtejshëm”, por nuk dha detaje tjera.

Më 6 shtator, Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se qeveria posedon “informacion të besueshëm” se sulmet e fundit kibernetike janë të lidhur me aktorë në Rusi, “veçanërisht me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse” të njohur si GRU.

Go to TOP