BE dhe Rumania do të krijojnë qendër logjistike për furnizimet e Ukrainës
Bashkimi Evropian po planifikon të bashkërendojë shpërndarjen e furnizimeve për Ukrainën nëpërmjet një qendre të re logjistike në Rumani.
Kështu njoftuan presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis në Bukuresht të enjten.
“Ju jeni një shembull i shkëlqyer i solidaritetit evropian,” tha von der Leyen, duke vlerësuar gatishmërinë e Rumanisë për të ndihmuar refugjatët nga Ukraina.
Qendra logjistike do të jetë magazinë për furnizime, duke përfshirë donacione private, nga ku mund të organizohet dërgesa në Ukrainë nën mbikëqyrjen e BE-së.
Qendra duhet të funksionalizohet brenda pak javësh, tha Iohannis.
Sipas Komisionit Evropian, qendra të tjera logjistike janë planifikuar në Poloni dhe Sllovaki.
Në fillim të luftës në Ukrainë qytetarët rumunë u mblodhën në kufi në një numër të madh për të mirëpritur refugjatët me ushqim, ujë, batanije dhe qumësht për foshnja.
