Bashkëatdhetarët vizitojnë Kuvendin e Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për bashkatdhetarët. Ata që e vizituan, u njohën me hapësirën dhe punën që bëhet në Kuvend. Mirëpo, për dallim nga vitet e tjera, numri i vizitorëve ishte i vogël.
Për Din Hotin ishte hera e parë që kishte ardhur ta vizitonte ndërtesën e Kuvendit. Ai jeton në Toronto të Kanadasë dhe viziton vendlindjen e vet, Gjakovën, shumë shpesh.
“Është hera e parë që po e vizitoj edhe me thënë të drejtën po më len shumë përshtypje se po e shoh që një gjë që është reale”, tha Hoti.
“Është në vendin e vet dhe i ka ato vlerat shumë të larta, po mendoj që njerëzit me ditë që e kena edhe na nji vend ku mblidhen burrat, ku mblidhen njerëzit edhe zhvillohet shteti me ligje, me kto gjana, se jemi edhe shtet i ri por prape kena ec mire”, shtoi bashkatdhetari nga Kanada.
Kuvendin e vizitoi edhe një ish-minator i minierës së Novobërdës dhe Kishnicës.
“Me të thënë të drejtën unë kisha emocione se mezi e kemi pritë. Ka qenë një sakrificë tepër e madhe për me pasë liri, me jetu populli i Kosovës si shtetet tjera n’demokraci” , tha Hazir Selmani, bashkatdhetar nga Zvicra.
Edhe një çift nga Banja e Siarinës që jeton në Zvicër, solli vajzën e vogël për t`ia treguar Kuvendin e Kosovës. Aty u pritën dhe u njoftuan për punën e Kuvendit, nga deputetët Avni Dehari e Hydajet Hyseni.
“Për mua është hera e dytë por thashë të vijmë njëherë me fëmijët dhe vëllain. Me ua tregu fëmijëve se gjithmonë na shikojnë duke këqyrë lajmet, duke u interesua për Kosovë e tash edhe këta patën qejf me e pa vet”, u shpreh Driton Azemi, bashkatdhetar nga Zvicra.
Edhe pse sot ka pasur pritje për fluks më të madh të bashkatdhetarëve për vizitë në Kuvend, numri i tyre ishte i vogël.
