Barazim drithërues 2-2, “betejë” pa fitues në Kroaci-Shqipëri

Kombëtarja e Shqipërisë ka barazuar në ndeshjen e dytë të Grupit B në Euro 2024. Pas disfatës kundër kampionit në fuqi, Italisë, 2:1, kuqezinjtë kanë arkëtuar një pikë në duel me Kroacinë, duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 2:2.

Për dallim nga ndeshja në Dortmund kundër italianëve, në duelin e sotëm djemtë e Sylvinhos patën paraqitje shumë më të mirë dhe krijuan shumë raste të pastra shënimi.

Shifrat e ndeshjes i zhbllokoi Qazim Laçi, me golin e shënuar me kokë në minutën e 11-të pas harkimit të Jasir Asanit.

Raste shumë të mira më pas shpërdoruan Nedim Bajrami (15’), Kristian Asllani (34’) dhe Rey Manaj (45’).  

Me epërsinë e një goli kuqezinjtë shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë ashtu siç pritej kroatët u vërsulën në kërkim të golit të barazimit.

Pas presionit të lartë, kroatët arritën që brenda dy minutash të përmbysin shifrat me golat e Kramariç (74’) dhe Gjasulës (76’-autogol).

Mirëpo, Shqipëria nuk u dorëzua dhe Klaus Gjasula arriti ta përmirësojë gabimin e tij paraprak, duke vulosur shifrat përfundimtare të ndeshjes (2:2) në minutën e pestë të shtesës, me gjuajtje të saktë nga brendësia e zonës.

Barazimi në këtë takim i lë të dyja skuadrat me shpresa për kualifikim tutje, por në ndeshjet e ardhshme do të kenë ballafaqime tejet të vështira.

Shqipëria do të përballet me Spanjën, derisa Kroacia me Italinë.

Go to TOP