Baraliu: Bashkëpunimi i Dimal Bashës me “fashisten” është i pafalshëm, por jo nga bindjet e tij

Analisti politik, Bleron Baraliu, ka reaguar lidhur me debatin e fundit për kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, dhe përfshirjen e emrit të tij në një artikull të përbashkët gjatë studimeve me një autore të cilën Baraliu e quan “bushtra fashiste”.

Ai theksoi se e njeh Bashën prej vitesh nga Nju Jorku dhe se ky i fundit vjen nga një familje atdhetare, me respekt për luftën e UÇK-së duke shtuar se nuk e sheh atë si dikë që ka fyer apo mohuar vlerat e saj. Megjithatë, Baraliu e konsideron të papranueshme dhe skandaloze përfshirjen e Bashës në atë publikim duke e cilësuar si pasojë të “papërgjegjësisë së thellë profesionale”.

“Dimali vet ka pranuar që kurrë nuk e ka lexuar artikullin dhe kjo tregon jo orientimin e tij politik, por një gabim trashanik. Reagimi i tij fillestar me kundërshtime e jo kërkimfalje ishte një tjetër gabim i rëndë,” tha Baraliu duke shtuar se tashmë, pas kërkimfaljes publike dhe tërheqjes së emrit nga autorësia, Basha duhet të kërkojë falje edhe gazetarëve e analistëve që ai i sulmoi në fillim.

Sipas tij, nëse Basha synon të qëndrojë në krye të Kuvendit, qoftë edhe për pak kohë, duhet të ndërtojë raport respekti dhe bashkëpunimi me gazetarët, intelektualët dhe shoqërinë civile.

Baraliu kritikoi gjithashtu lidershipin e Vetëvendosjes dhe personalisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti duke thënë se për sa kohë ata mbeten “nën thundrën e Albinit”, nuk sheh gjasa për ndryshim kursi. Ai u bëri thirrje partive politike – VV, PDK, LDK dhe AAK – që të ulen dhe të gjejnë pika të përbashkëta për të ndalur degradimin e vendit.

“Kosova po digjet me shpejtësi drejt denigrimit brutal nën terrin e politikave mujshariste e revanshiste. Mjaft!”, përfundoi Baraliu. /Kosova.info/


Go to TOP