Ballkani dhe Drita nuk gabojnë, Gjilani triumfon në `Zahir Pajaziti`
Lideri i renditjes së Superligës, Ballkani ka shënuar fitore minimale (1:0), por shumë të vlefshme si mysafir ndaj Prishtinës së Re, skuadër që mban vendin e fundit në tabelë.
Golin e vetëm dhe të fitores për portokallezinjtë e realizoi Blerat Tolaj në minutën e 68-të. Pas kësaj fitoreje, Ballkani vazhdon të kryesojë me 45 pikë, aq sa ka edhe Drita. Kjo e fundit është rikthyer te fitorja pasi mposhti 2:1 Dukagjinin në Gjilan. Epërsinë për vendasit e solli Besnik Krasniqi në minutën e 18-të, ndërsa mysafirët barazuan para përfundimit të pjesës së parë me golin e Hekuran Berishës. Fitoren për kampionët në fuqi e siguroi Veton Tusha.
Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Gjilani, që mposhti Llapin, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me shifrat 3:2. Gjilani kaloi në epërsi me golin e Oltion Bilallit, ndërsa Llapi barazoi me Edon Sadriun. Në pjesën e dytë, Senad Jaroviq realizoi për 2:1 nga penalltia, ndërsa Blerind Morina shënoi një supergol për 3:1. Llapi ngushtoi rezultatin në 3:2 me golin nga penalltia të Muhamet Hyseni, por pa arritur të shmangë humbjen.
Pas kësaj xhiroje, Gjilani ngjitet në vendin e tretë me 39 pikë, duke lënë pas Prishtinën që tani renditet e katërta me 38 pikë.
