Bajrami për Vetëvendosjen: Nga krejt dhe drejt në kundër krejtve

“Nga krejt dhe drejt në kundër krejtve”.

Kështu e ka përkufizuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se pushteti “i ka shpallur armiqë të gjithë ata që s’pajtohen”.

“Partia në pushtet është kundër mediave pse s’po raportojnë sipas qejfit te tyre; Partia në pushtet që protestonte e merrte pjesë në secilën grevë është kundër të gjithë sindikalistëve;  Partia në pushtet është kundër mësuesve, pse po kërkojnë rritje pagash;  Partia në pushtet është kundër kujtdo që ankohet pse po ka reduktime të energjisë elektrike në pikë të verës;  Partia në pushtet është kundër secilit që ia thotë të vërtetën Albin Kurtit se po jetëson marrëveshjet e mëhershme me Serbinë;  Partia në pushtet po del kundër secilit që ia kujton kohën se kur ishte në opozitë kishte tentuar të kallë Kosovën për marrëveshjet me Serbinë që po jetësohen nga Albin Kurti”, ka shkruar Bajrami.

Ajo po ashtu ka thënë se nuk e di “ kush po ju mëson e këshillon t’i shihni të gjithë si armiq. T’i shihni si armiq edhe votuesit tuaj pasi keni marrë 51 për qind të votave”.

“Edhe sindikalistët dhe mësuesit që po kërkojnë dialog dhe rritje pagash ishin votuesit tuaj”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Albin Kurti e ka gjetur mënyrën që të bëjë dialog veç me Aleksandër Vuçiqin.

Po ashtu, Bajrmai tha se shumë prindër do të mbesin pa shkuar në punë për shkak të grevës së çerdheve. 

Go to TOP