Bajrami: LVV e ka kthyer Kosovën në kohën e UNMIK-ut – po e mban shtetin peng për interesa partiake

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) duke e akuzuar se e ka kthyer vendin në kohën e administrimit të UNMIK-ut dhe se po e mban shtetin peng për interesa të ngushta partiake.

Bajrami tha se në periudhën e UNMIK-ut nuk kishte sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës, zyrtarët e asaj kohe respektonin institucionet e drejtësisë dhe dorëhiqeshin kur shkelin Kushtetutën. Ajo theksoi se në atë periudhë nuk kishte bllokim të institucioneve dhe as skenarë të përsëritur të dështimit në Kuvend.

“Për më tepër, është vetë LVV ajo që ka pranuar marrëveshje me Serbinë duke iu referuar Rezolutës 1244, mbi të cilën funksionon edhe UNMIK-u. Pra, në thelb e kanë legjitimuar një qasje të cilën vetë e kanë kundërshtuar për vite me radhë,” tha Bajrami.

Ajo theksoi se sot vendi ndodhet në krizë të thellë institucionale për shkak se LVV nuk e pranon që nuk mund të sigurojë shumicën parlamentare dhe për këtë arsye, sipas saj, po e mban shtetin peng.

“Sot, interesi i partisë dhe ai personal qëndrojnë mbi interesin e shtetit dhe qytetarëve. Ne kemi propozuar një zgjidhje me qeveri tranzitore përmes marrëveshjes. Është e drejtë e juaja ta refuzoni, por mos u tallni me shtetin dhe qytetarët,” u shpreh deputetja e LDK-së.

Sipas saj, propozimi për një qeveri tranzitore nuk është kundër askujt, por synon stabilitet institucional dhe respekt ndaj qytetarëve të vendit. /Kosova.info/

Go to TOP