Bajrami: LDK duhet të rikthehet forca e parë për një shtet të fortë dhe drejtësi të pakompromis

Hykmete Bajrami, përfaqësuese e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm në mbështetje të LDK-së dhe kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku, në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ajo theksoi se alternativa e LDK-së është e qartë: forcimi i shtetit, aleancave ndërkombëtare dhe ekonomisë përmes konkurrencës së ndershme, si dhe ballafaqim i drejtpërdrejtë me korrupsionin.

Bajrami deklaroi se është koha që secili anëtar dhe përkrahës i LDK-së të japë maksimumin për ta bërë këtë projekt fitues, për të mirën e shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve – fëmijëve, të rinjve, të moshuarve dhe gjithë shoqërisë.

Ajo iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve ta mbështesin LDK-në dhe Abdixhikun duke përfshirë të zhgënjyerit, ata që duan një Kosovë më të mirë për të jetuar, prindërit që e shohin të ardhmen e fëmijëve në vend, si dhe mërgatën që gjithnjë ka dhënë kontribut jetik për Kosovën.

“Ne nuk premtojmë mrekulli, por funksionimin e të gjitha hallkave të shtetit, llogaridhënie për taksat dhe besim të qytetarëve përmes punës së pandalur,” deklaroi Bajrami.

Ajo shtoi se vendi ka nevojë për një qeveri që e lufton korrupsionin, i largon mashtruesit, i jep mbështetje drejtësisë në ndëshkimin e abuzuesve, ndërmerr reforma serioze për rritjen e sektorit privat dhe bën luftë të pakompromis kundër mafisë energjetike.

Në fund, Bajrami uroi: “Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë LDK-në dhe qytetarët e miqtë e shtetit tonë!”. /Kosova.info/


Go to TOP