Bajrami: Kusari-Lila shpifi në seancë që LDK-ja s’ka dorëzuar komente në ZRrE

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se opozita nuk ka dërguar komente në ZRrE lidhur me raportin konsultativ për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Bajrami tha se Kusari-Lila ka shpifur, derisa në reagimin e saj në Facebook ka bashkangjitur edhe dokumentet me komente që, sipas saj, LDK-ja i ka dorëzuar në ZRrE.

“Shefja e grupit parlamentar të LVV-së sapo shpifi në seancë që LDK-ja nuk ka dorëzuar komente në ZRRE lidhur me dokumentin konsultativ të ZRRE-së. LDK-ja ka dorëzuar komente në ZRRE, në ZKM, në MFT dhe në ME. Shihni dok. e protokolluar”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, gjatë fjalës së saj në seancë ka kritikuar opozitën të cilët kanë kërkuar dhe po vazhdojnë të kërkojnë anulimin e vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës.

Ajo tha se asnjëra prej tyre nuk ka dërguar komente në periudhën kur ZRrE ka hapur periudhën për konsultime.

Go to TOP