Bajrami dhe Deda kërkojnë rinumërim të plotë të votave dhe hetim penal për vjedhjen e votës

Kërkohet rinumërim i plotë i të gjitha kutive dhe ndëshkim ligjor e politik për të gjithë të përfshirët në manipulimin e votës

Bajrami: Rinumërim në gjithë Kosovën dhe reagim urgjent i drejtësisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar rinumërimin e votave në të gjithë territorin e Kosovës dhe një reagim të shpejtë, profesional dhe efikas nga institucionet e drejtësisë, pas dyshimeve serioze për manipulim të procesit zgjedhor.

Ajo ka theksuar se kushdo që ka prekur votën e qytetarëve duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, si para ligjit ashtu edhe para qytetarëve duke nënvizuar se vota është themeli i demokracisë dhe nuk guxon të cenohet.

Deda: Pa ndëshkim për vjedhjen e votës, nuk ka demokraci as shtet ligjor

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe analisti politik Ilir Deda, i cili ka deklaruar se nga të dhënat e deritanishme po rezulton se pothuajse në çdo kuti ka pasur vjedhje të votës së kandidatëve. Sipas tij, rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Kosovë është e vetmja mënyrë për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve.

Deda ka shkuar më tej duke kërkuar përgjegjësi jo vetëm ligjore, por edhe politike brenda partive. Ai ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike, pa përjashtim, të largojnë nga anëtarësia inspiruesit, urdhëruesit, organizatorët dhe zbatuesit e kësaj vjedhjeje, nëse synojnë të çrrënjosin rrjetëzimin kriminal brenda strukturave të tyre.

“Prokuroria duhet menjëherë të fillojë hetim me cak të qartë ndaj inspiruesve, urdhëruesve, organizatorëve dhe zbatuesve të këtij krimi zgjedhor, që në fund do të rezultojnë me mijëra persona të përfshirë,” ka theksuar Deda.

Sipas tij, nuk mund të ketë drejtësi, shtet ligjor dhe as parti që pretendojnë se luftojnë për drejtësi, nëse bashkëjetojnë me krimin brenda radhëve të veta. Po ashtu, ai ka theksuar se nuk mund të ketë demokraci dhe zgjedhje të lira e të ndershme, nëse organizimi i vjedhjes së votës kalon pa ndëshkim ligjor dhe politik, pavarësisht se kush janë figurat politike që kanë përfituar mandate në mënyrë të paligjshme. /Kosova.info/


Go to TOP