Bajrami akuzon Kurtin: 100 euro për votë – skemë e korrupsionit publik para zgjedhjeve
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për tentim të blerjes së votave përmes mjeteve të buxhetit të shtetit, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përmes një reagimi publik, Bajrami ka deklaruar se paralajmërimet e saj të një nate më parë janë konfirmuar duke e cilësuar shpërndarjen e mjeteve financiare si përpjekje për ndikim elektoral.
Ajo ka kritikuar qeverisjen e deritanishme duke thënë se gjatë gjashtë viteve të fundit qytetarët janë përballur me rritje të çmimeve, mungesë investimesh në arsim dhe shëndetësi, si dhe projekte infrastrukturore të papërfunduara.
“Tash 100 euro për votë. Këto janë paratë e qytetarëve që janë marrë përmes inflacionit dhe po kthehen në këmbim të votës”, ka deklaruar Bajrami duke shtuar se kjo nuk përbën ndihmë sociale, por një “skemë të korrupsionit publik”.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë të tensionuar politike, ndërsa fushata zgjedhore po hyn në ditët e fundit dhe përplasjet mes partive po intensifikohen. /Kosova.info/
