Bajraktari: Rrëzimi i mocionit në Hagë, dështim i objektivitetit
Avokati Ardian Bajraktari rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-çlirimtarëve të Kosovës në Gjykatën Speciale e ka quajtur dështim të shpërfaqjes së objektivitetit të procesit.
“Trupi gjykues dhe Gjykata Speciale në Hagë në përgjithësi, për mendimin tim, dështoi për t’u shpërfaqur objektive në raport me ecurinë e procesit të deritashëm. Për faktin që çështja e objektivitetit të trajtimit të barabartë të palëve në procedurë ka qenë diçka që është diskutuar dhe e ka karakterizuar procesin deri tash”, ka thënë ai në “Info Plus” të RTK-së.
Sipas Bajraktarit, kur të deklarohen afërsisht 20 dëshmitarët e rasteve të siguruar nga mbrojtja e Thaçit dhe Veselit, “pala mbrojtëse do të përpiqet ta argumentojë të kundërtën e asaj çka pretendon prokuroria, me theks të veçantë në drejtim të angazhimit të ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme”.
“Sipas rregullores së provave dhe procedurës së Dhomave të Specializuara, është diçka që ndryshe funksionon nga sistemi ynë gjyqësor. Kjo për shkak se pas fjalës përfundimtare, pala e akuzuar ka të drejtë të kërkojë hollin e aktakuzës ose kundërshtimin e provave, kurse te ne kjo bëhet pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ana e Prokurorisë”, ka treguar Bajraktari.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes së cilit kërkuan rrëzimin e aktakuzës. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka theksuar se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.
