Avdyli pas kritikave në raportin amerikan: Shkarkimi i Dakës, njëri ndër vendimet më të mira

Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli ka komentuar raportin e DASH’it sa i përket shkarkimit të kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Avdyli thotë se DASH’it nuk e ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, por vetëm i ka prezantuar kritikat që i ka bërë shoqëria civile për këtë çështje.

Ai tutje tha se shkarkimi i Dakës ka qenë njëri ndër vendimet më të mira të Presidencës.

“Aty nuk bëhet fjalë që State Departamenti ka kritiku, aty bëhet fjalë se State Departamenti ka prezantun kritika që i ka bërë shoqëria civile dhe akterë të ndryshëm politik të Kosovës. Mendoj që shkarkimi i Dakës ka qenë njëri ndër vendimet më të mira të Presidencës në këtë vit, ajo e ka tejkaluar kompetencat e veta në të shumtën e rasteve.

Ajo duhej të ishte mbi palët, ndërsa shpesh herë ka marrë anim në komisionin zgjehdor. E dini se më 14 shkurt cfarë pengesash ka shkaktuar ajo”, tha ai.

Kujtojmë se raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, për Kosovën, mbi të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera ka përmendur shkarkimin e ish-kryetarës së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Dakës, nga Presidentja Vjosa Osmani, vitin e kaluar.

Në raport, fillimisht është dhënë një shpjegim se si Presidentja në detyrë, në një deklaratë publike ka kritikuar votimin e KQZ-së, për moscertifikimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të kandidatëve që ishin të dënuar me vendim të prerë të Gjykatës.

Raporti përshkruan se si, pas kësaj, Presidentja e vendit e shkarkoi Dakën nga KQZ-ja dhe citon organizatat e shoqërisë civile, të cilat e quajtën vendimin e Osmanit për Dakën si “të motivuar politikisht”.

Go to TOP