Avdiu: U largova nga RTK-ja në muajin e pestë të shtatzënisë, pas refuzimit të lexoj tekste propagandistike
Gazetarja akuzon menaxhmentin e Radio Televizioni i Kosovës për mosvazhdim kontrate pa arsyetim, presion politik dhe ndërhyrje të partisë në pushtet në Dhomën e Lajmeve
Gazetarja Edina Avdiu ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e ekranit të Radio Televizioni i Kosovës (RTK), pas tre vitesh angazhim në transmetuesin publik.
Përmes një reagimi publik, ajo ka bërë të ditur se menaxhmenti aktual i RTK-së, që sipas saj po funksionon pa mandat, ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën e rregullt të punës, pa ofruar arsyetim zyrtar.
Avdiu thekson se njoftimi për mosvazhdim kontrate i është dërguar me shkrim disa javë më parë, ndonëse gjatë tri viteve ka pasur vlerësime vjetore mbi mesataren dhe asnjë vërejtje disiplinore në dosjen e saj.
Ajo rikujton se një masë disiplinore e shqiptuar ndaj saj ishte shfuqizuar nga Komisioni Ad Hoc i RTK-së në tetor të vitit 2025 duke e cilësuar ankesën e saj si të bazuar në tërësi.
Sipas saj, vendimi për mosvazhdim të kontratës erdhi në muajin e pestë të shtatzënisë, për çka thotë se eprorët kanë qenë në dijeni.
Në reagimin e saj, Avdiu akuzon drejtpërdrejt ushtruesin e detyrës së kryeredaktorit, Blerim Haxhiaj, për nisje të procedurave disiplinore dhe për presion të vazhdueshëm. Ajo pretendon se në Dhomën e Lajmeve ka pasur ndërhyrje të partisë në pushtet duke pohuar se temat refuzoheshin nëse nuk ishin në përputhje me interesat politike.
Gazetarja ka deklaruar se gjatë tri viteve në RTK ka realizuar 803 kronika dhe qindra lidhje direkte, por sipas saj, puna më e rëndësishme ka qenë refuzimi i leximit të teksteve që i ka konsideruar propagandistike.
Ajo përmend edhe një rast konkret, kur pretendon se i është kërkuar të lexojë një tekst të përgatitur jashtë redaksisë, në ditën kur kryeparlamentar u zgjodh Dimal Basha, kërkesë të cilën thotë se e ka refuzuar.
Avdiu thekson se largimi i saj nuk ka ardhur si pasojë e mungesës së profesionalizmit apo angazhimit, por si rezultat i qëndrimeve të saj editoriale dhe insistimit për gazetari të pavarur në shërbim të publikut. /Kosova.info/
