Avdijaj flet për startin e fuqishëm te Zurich: Kurrë nuk e kam nisur më mirë, jam i lumtur që luaj me këta djem

Donis Avdijaj e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij te Zurich, pasi të enjten mbrëma shënoi dy gola në fitoren e skuadrës së tij me shifrat 3:0 kundër Linfieldit të Irlandës së Veriut në ndeshjen kthyese të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Avdijaj sezonin e nisi mirë edhe në Bundesligën e Austrisë, kur shënoi për Hartbergun dy herë kundër Altachut.

Trajneri Franco Foda, që e kishte në Sturm Grazi, insistoi ta afrojë në skuadër, ndërsa për lojtarin është një mundësi shumë e mirë që ta kthejë karrierën në binar.

“Po e kaloj startin më të mirë në karrierë. Pas javës së parë këtu jam shumë i bindur për kualitetin e ekipit dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që po luaj me këta djem. Dua ta jap më të mirën këtu”, ka thënë Avdijaj për gazeta zvicerane “Blick”.

Tutje ai tregon se i pëlqen të shënojë gola, por dëshira më e madhe e tij është që skuadra të shënojë fitore.

“Më pëlqen të shënoj gola, që është dëshirë për çdo lojtar në botë. Por, më pëlqen edhe më shumë kur skuadra fiton. Kur unë i kombinoj këto dyja, është ndjenjë e jashtëzakonshme. Primare është që ta lëmë fushën si fitues dhe t’i gëzojmë tifozët tanë”, deklaroi Avdijaj.

Për tu futur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, Avdijaj me Zurichun, do të përballet me Heartsin e Skocisë. Heartsi është një tjetër ish-skuadër e Avdijajt.

“Heartsi? Është e kaluar. Tani jam te Zurich. Ne duam që të shkojmë atje dhe të fitojmë. Liga e Evropës është synimi jonë”, ka thënë Avdijaj.

Nëse vazhdon me këtë formë, Avdijaj mund të kthehet edhe te Përfaqësuesja e Kosovës, pasi nuk ftohet prej vitesh.

Avdijaj te Zurich ka gjetur një koloni shqiptare, pasi që aty luajnë Blerim Xhemaili, Mirlind Kryeziu, Fidan Aliti, Lindrit Kamberi dhe Bledian Krasniqi. 

Go to TOP