Arrestohet një person për kanosje ndaj institucioneve të Kosovës dhe zyrtarëve të tyre
Është arrestuar një person në Prishtinë për kanosje ndaj institucioneve të Kosovës dhe zyrtarëve të tyre.
Në njoftimin e policisë thuhet se ai kishte dërguar mesazhe kërcënuese përmes emailit në drejtim të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore disa mujore, në bashkërendim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, nën dyshimin se një i dyshuar është përfshirë në veprën penale ‘kanosje’, sot më 22.05.2025, ka zbatuar urdhëresën e gjykatës ku është zhvilluar kontrolli në një lokacion në Prishtinë. Gjatë kontrollit kanë asistuar edhe njësi tjera policore”.
“Dyshohet se personi i dyshuar, në mënyrë të vazhdueshme, përmes e-maileve ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës si: Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të Prishtinës, si dhe në drejtim të zyrtarëve të këtyre institucioneve”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu bëhet e ditur se i dyshuari është ndalur për 48 orë dhe është sekuestruar një laptop, një tablet dhe një telefon, përcjell Klankosova.tv.
“Gjatë këtij operacioni policor është arrestuar i dyshuar, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘kanosje’ dhe në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar pajisjet të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një laptop, një tablet dhe një telefon. I dyshuari me vendim të prokurorit ndalohet për 48 orë”, thuhet tutje në njoftim. /Kosova.info/
