Arrestohet i dyshuari për shpërndarje të narkotikëve në Gjilan, sekuestrohen mbi 10 kg marihuanë
Policia e Kosovës ka arrestuar sot në orët e mëngjesit të dyshuarin V. M. (1999), pas një pune të gjatë hetimore nën masa të veçanta të vëzhgimit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjilan.
I dyshuari është arrestuar mbi bazën e dyshimeve për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”, sipas Nenit 267 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar: 10.488 kg marihuanë; tri peshore elektronike dhe 1630 euro para të gatshme.
Substanca narkotike iu është nënshtruar testit fushor, i cili ka rezultuar pozitiv.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka theksuar se luftimi i dukurive negative dhe parandalimi i aktivitetit kriminal mbetet ndër prioritetet kryesore të saj. /Kosova.info/
