Ancelotti negocion me Federatën e Futbollit të Brazilit
Carlo Ancelotti, një nga trajnerët më të dekoruar në histori, i cili aktualisht drejton Real Madridin, është duke rinegociuar me Federatën e Futbollit të Brazilit për të marrë drejtimin e kombëtares Selecao. Këtë e ka bërë të ditur gjiganti mediatik brazilian Globo.
“Ancelotti kërkoi që të mos diskutohen çështje specifike përpara përfundimit të Kupës së Botës për Klube, e cila përfundon në mes të korrikut”, shkruan Globo.
Informacioni i medias braziliane u konfirmua edhe nga “Relevo” spanjolle: “Brazili ka kontaktuar sërish Ancelottin. Një transferim i mundshëm do të mund të bëhej pas Botërorit të Klubeve”, ka shkruar Relevo.
Ancelotti ka qenë një dëshirë e kahershme e Brazilit, që nga Botërori 2022, të cilin ‘kariokët” e përfunduan në çerekfinale. Që atëherë, brazilianët kanë tentuar pa sukses të punësojnë një trajner me emër të madh dhe kombëtarja ka shënuar paraqitje dhe rezultate të dobëta gjatë gjithë kësaj kohe, gjë që është e dukshme edhe në kualifikueset aktuale të Botërorit, ku humbja e fundit u regjistrua nga Argjentina.
