AME: Situata me vërshime e menaxhueshme

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata me vërshime në Kosovë, për periudhën 06.01.2026 (12:00–15:00), paraqitet e menaxhueshme, ndonëse me raste të lokalizuara në disa komuna.

Sipas informatave të pranuara nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) dhe Drejtoritë për Shërbime Publike dhe Emergjenca (DSHPE), të koordinuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, rajonet më të prekura janë Fushë Kosovë, Drenas, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj dhe Gjakovë. Në këto zona janë raportuar vërshime në oborre, bodrume dhe segmente të caktuara rrugore.

Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ndërkohë, në shumicën e komunave të tjera gjendja raportohet relativisht e qetë dhe stabile, por nën monitorim të vazhdueshëm.

AME bën të ditur se të gjitha ekipet e forcave të Mbrojtjes dhe Shpëtimit janë në terren dhe situata po ndiqet në kohë reale përmes sistemit të komunikimit emergjent të agjencisë.

Agjencia u bën apel qytetarëve që të shmangin kalimin në zona të vërshuara, të raportojnë çdo rrezik në numrin unik emergjent 112 dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare.

Siguria e qytetarëve, thekson AME, mbetet prioriteti kryesor. /Kosova.info/


Go to TOP