Ambasadori Hovenier diskuton me nxënësit e “Sami Frashërit” mbi rëndësinë e kontrollimit të fakteve

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në shkollën e mesme të Prishtinës, gjimnazin “Sami Frashëri”.

Arsyeja e kësaj vizite ka qenë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve, e cila u bë si pjesë e aktiviteteve të organizuara nga platforma për verifikim të fakteve, Hibrid.info.

Platforma në fjalë thotë se qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë rritja e ndërgjegjësimit rreth rëndësisë së verifikimit të informacionit dhe sfidave që paraqiten nga çrregullimi në sferën mediale.

“Si pjesë e angazhimit tonë, kemi organizuar një aktivitet të veçantë në bashkëpunim me Shkollën e Mesme ‘Sami Frashëri’, ku Ambasadori Jeffrey M. Hovenier ka pasur një diskutim me nxënësit e kësaj shkolle rreth rëndësisë së kontrollimit të fakteve dhe zhvillimin e mendimit kritik”, ka thënë kjo platformë në njoftimin dërguar mediave.

Ndërkaq, ambasadori Hovenier, në një video-mesazh, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e vendit që të bëhen “kontrollues të fakteve”.

“Sot, më 3 prill, ne i bashkohemi botës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve. Dua të falënderoj të gjithë kosovarët që janë të përkushtuar për të kërkuar të vërtetën dhe saktësinë në informacion. Në botën e sotme të ndërlidhur, informacioni udhëton shpejt, por jo gjithmonë i vërtetë. Keqinformimi dhe dezinformimi mund të përhapen si flakë, duke shkaktuar konfuzion, frikë dhe ndasi. Kjo është arsyeja përse verifikimi i fakteve është më i rëndësishëm se kurrë më parë. Duke verifikuar informacionin dhe duke luftuar narrativat e rreme, ne fuqizojmë veten dhe pjesëtarët e komuniteteve tona për të marrë vendime të informuara. Përderisa Kosova vazhdon të konsolidojë demokracinë e saj të re, kontrollimi i fakteve është thelbësor. Ai forcon mediumet e pavarura, promovon dialogun e respektueshëm, dhe siguron llogaridhënie. Kjo i fuqizon qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë aktive në formësimin e së ardhmes së tyre. Kështu që sot, dua të inkurajoj secilin prej jush që të jetë një ‘kontrollues përkushtuar i fakteve’. Bëni pyetje, kërkoni burime të besueshme dhe angazhohuni në një diskurs civil dhe respektues. Së bashku mund të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të informuar. Dhe le të angazhohemi, jo vetëm sot, por çdo ditë në vijim, që të bëjmë pjesën tonë të punës për të verifikuar faktet dhe për të mbështetur të vërtetën. Është përgjegjësi e jona e përbashkët për të krijuar një të ardhme më të ndritshme përmes këtyre përpjekjeve kolektive. Faleminderit”, ishte mesazhi i Hovenierit.

Hibrid.info thotë se në këtë moment, kur dezinformimi dhe informacioni i pasaktë kanë një ndikim të madh në opinionin publik, “ne mbetemi të përkushtuar për të nxitur një kulturë të verifikimit të fakteve dhe rritjes së mendimit kritik në shoqërinë tonë”.

Go to TOP