Alush Gashi ndan një kujtim nga viti 1996: Në selinë e LDK-së, me figurat që ndërtuan themelet e shtetit
Veprimtar i çështjes kombëtare dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Prof. dr. Alush Gashi, ka ndarë sot një kujtim të çmuar nga viti 1996 duke përkujtuar kohët kur zhvilloheshin përpjekje të mëdha për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Një kujtim i bukur nga kohëra të tjera – viti 1996,” shkruan Gashi duke përshkruar një moment të kaluar në selinë e LDK-së, e cila aso kohe ndodhej në ambientet e Shoqatës së Shkrimtarëve.
Ai përmend miqtë me të cilët ndante atë hapësirë dhe përpjekje: Fehmiun, Fatmirin dhe Rexhepin.
“Një hapësirë e vogël, por me shumë shpirt, ku u bë shumë punë për ndërtimin e shtetit,” thekson Gashi.
Në sfondin e fotografisë që ka ndarë, shihen dy figura emblematike të historisë së re të Kosovës: Presidenti Ibrahim Rugova dhe Anton Çetta, të cilët përfaqësojnë urtësinë politike dhe humanizmin pajtues të kohës.
Ky kujtim i Gashit është një reflektim i rëndësishëm për kontributin e brezit që përgatiti themelet institucionale dhe shoqërore të Republikës së Kosovës në vitet më të vështira të historisë së saj moderne. /Kosova.info/
