Alonso në fund të qëndrimit te Leverkusen pëson humbje të thellë
Borussia Dortmund ka vazhduar me ecurinë e mirë në Bundesliga duke shënuar një fitore të madhe 4-2 në udhëtim ndaj Bayer Leverkusen, në atë që ishte ndeshja e fundit në shtëpi për trajnerin Xabi Alonso në krye të kampionit gjerman në fuqi.
Përkundër dominimit në fillim të ndeshjes dhe kalimit në epërsi falë një goli nga Jeremie Frimpong pas asistimit të Florian Wirtz, Leverkusen nuk ka arritur ta ruajë avantazhin. Dortmund ka reaguar menjëherë me golin e Julian Brandt, ndërsa pak minuta më vonë, Julian Ryerson e ka përmbysur rezultatin me një goditje të saktë në cepin e portës.
Në pjesën e dytë, Dortmund ka shfrytëzuar hapësirat që janë krijuar dhe ka shënuar edhe dy herë të tjera: fillimisht Adeyemi pas një pasimi të jashtëzakonshëm nga Brandt dhe më pas Serhou Guirassy, i cili ka përfituar nga një gabim në mbrojtjen e vendasve për të realizuar golin e katërt.
Leverkusen ka arritur t’i ngushtojë shifrat në fund me një gol me kokë nga zëvendësuesi Jonas Hofmann, pas një krosimi të Wirtz, por kjo nuk ka mjaftuar për ta shmangur njërën ndër humbjet më të rënda në shtëpi të epokës Alonso.
Fitorja e çon Dortmund vetëm një pikë larg vendit të katërt, aktualisht të zënë nga Freiburg, ndërsa ndeshja e fundit sezonale ndaj skuadrës tashmë të rënë nga liga, Holstein Kiel, pritet të jetë vendimtare për synimet në Champions League.
Në anën tjetër, Bayer Leverkusen tashmë ka kthyer vëmendjen kah e ardhmja. Sipas raportimeve të fundit, ish-ylli i Spanjës dhe aktualisht trajner i Comos, Cesc Fàbregas, është favorit për të pasuar Alonso në stolin e klubit nga “BayArena”.
