Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë, e kanë caktuar 16 korrikun si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.Kjo është bërë e ditur nga DhSK-ja përmes një njoftimi për medie.

“Më 9 korrik 2024, trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. /Kosova.info/

Go to TOP