Aktakuzë lidhur me rastin e dhunimit të 18 vjeçares në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale Xh.D., nga fshati Dubravë- Komuna Ferizaj, i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data 01 e deri më 02 Maj të vitit 2024, në një motel në Ferizaj, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën- si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, që e njëjta të kryej akt seksual pa pëlqim, në atë mënyrë që fillimisht e josh të dëmtuarën përmes rrjetit social “Facebook” që të takohen, ku e dëmtuara i bindet të pandehurit dhe i njëjti e hyp në veturë dhe duke e parë dhe qenë i vetëdijshëm për gjendjen e saj psikike, me të njëjtën veturë e dërgon të dëmtuarën në motel në Ferizaj dhe gjatë kësaj kohe e detyron të dëmtuarën që të kryej akt seksual disa herë dhe  ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe në fund, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr  dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.2 dhe 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.  /Kosova.info/

Go to TOP