Aksident në Prishtinë, lëndohen gjashtë persona

Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se në aksident janë përfshirë dy vetura.

“Sot rreth orës 00:15 në rrugën ‘Bill Clinton’, në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, në mes të dy automjeteve në lëvizje. Si pasojë e aksidentit janë lënduar gjashtë persona. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësiti i trafikut po merret me hetimin e rrethanave të këtij aksidenti”, tha ajo.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 42 aksidente trafiku, 10 me persona të lënduar kurse 32 tjerë raportohet të kenë qenë vetëm me dëme materiale. 

Go to TOP