AI kërkon dy miliardë doza të vaksinës për vendet e varfra

Prodhuesit e vaksinave kundër COVID-19 po e vënë përfitimin financiar para jetës së njerëzve, tha organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI) të mërkurën, duke kërkuar shpërndarjen e dy miliardë dozave të vaksinës kundër koronavirusit për vendet më të varfra deri në fund të vitit.

Organizata për të drejtat e njeriut tha se kompanitë: AstraZeneca, Pfizer, BioNTech, Johnson & Johnson, Moderna, Novavax – që të gjitha kanë refuzuar të ndajnë doza ose njohuritë teknologjike për t’i mundësuar botës që të posedojë më shumë vaksina COVID-19.

“Nga 5.76 miliardë doza të injektuara në të gjithë botën, vetëm 0.3 për qind kanë shkuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe mbi 79 për qind në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta”, tha shefja e Amnesty International, Agnes Callamard.

Në letrat dërguar Amnesty International të gjitha kompanitë ishin zotuar se mbështesin të drejtat e njeriut, por raporti tha se veprimet e tyre e shkelin këtë angazhim.

India dhe Afrika e Jugut kishin kërkuar në Organizatën Botërore të Tregtisë që kompanitë të ndajnë njohuritë e tyre për prodhimin e vaksinave, mirëpo të gjashtë kompanitë e kishin kundërshtuar këtë.

AI ka filluar një fushatë të re “për të mbajtur përgjegjësi shtetet dhe kompanitë farmaceutike të mëdha” për hendekun e furnizimit me vaksina.

Amnesty International tha se fushata është mbështetur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Edhe rreth 100 ditë kanë mbetur deri në fund të vitit, dhe objektivi i OBSH-së për të vaksinuar 40 për qind të popullsisë së vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme është në rrezik.

AI kërkon nga vendet e pasura që të shpërndajnë “qindra miliona doza të tepërta të vaksinave” dhe që prodhuesit e vaksinave të sigurojnë që të paktën gjysma e dozave të prodhuara të shkojnë në vendet më të varfra.

“Askush nuk duhet të kalojë një vit tjetër duke vuajtur dhe jetuar në frikë”, tha Callamard.

Go to TOP