AI bën thirrje për hetim të plotë rreth sulmit të ShBA-së në Kabul

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International, e ka konsideruar “hap të parë pozitiv”, deklaratën e ushtrisë amerikane se sulmi ajror në Kabul, disa ditë para tërheqjes së trupave, ka vrarë 10 civilë të pafajshëm.

Megjithatë, kjo organizatë ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të zotohen për hetime “të plota dhe transparente” për incidentin.

“Ky pranim është një hap i rëndësishëm drejt llogaridhënies për vrasjet në Kabul, mirëpo pjesa më e madhe pritet të bëhet”, ka thënë Brian Castner, këshilltar i lartë për kriza në organizatën me bazë në Londër.

Një punëtor dhe nëntë anëtarë të familjes së tij, kanë vdekur në sulmin me dron më 29 gusht.

“Secili i dyshuar për përgjegjësi penale, duhet të gjykohet në gjyq të drejtë” ka thënë Castner, duke shtuar se të mbijetuarit dhe familjet e viktimave duhet të pranojnë “dëmshpërblim të plotë”.

Sulmi – një nga veprimet e fundit të ushtrisë amerikane në Afganistan, para përmbylljes së misionit 20-vjeçar – ka ndodhur rreth 3 kilometra larg aeroportit të Kabulit, tri ditë pasi një sulm vetëvrasës në aeroport ka lënë të vdekur mbi 170 civilë afganë dhe 13 trupa ushtarake amerikane.

Duke e përshkruar sulmin si “gabim tragjik”, Gjenerali i Komandës Qendrore, Kenneth McKenzie, ka thënë se sulmi ka lënë të vdekur 10 civilë, duke përfshirë shtatë fëmijë.

Inteligjenca amerikane ka besuar se makina që është qëlluar ka qenë e lidhur me militantë të IS-K – degë lokale e grupit ekstremist Shteti Islamik, ka thënë McKenzie.

Ai ka thënë se Pentagoni është duke shqyrtuar mundësinë e dëmshpërblimit për familjarët e personave të vrarë.

“Kërkojmë falje, do të mësojmë nga ky gabim i tmerrshëm”, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, përmes një deklarate.

Talibanët kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi më 15 gusht në Kabul, duke nxitur përpjekje masive për evakuim nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Deri në fund të muajit gusht, në aeroportin e Kabulit janë parë skena kaotike, pasi mijëra shtetas të huaj dhe afganë kanë tentuar të ikin nga shteti.

Go to TOP