Ahmeti: Jam njeriu më krenar në këtë vend, kam insisituar të demokratizohemi
Komisioni Zgjedhor Partiak i Bashkimit Demokratik për Integrim sot ka realizuar procesin zgjedhor brenda partiak për zgjedhjen e kryetarëve të degëve, anëtarëve të degëve, këshillave vendor dhe anëtarëve të këshillave vendor në dhjetë degë të BDI-së.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë të ditur emrat e kryetarëve të zgjedhur në këto dhjetë degë.
Ai, me anë të një fjalimi, ka deklaruar se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për BDI-në.
“Unë sot jam njeriu më krenar në këtë vend sepse kam insistuar që BDI-ja të demokratizohet. BDI-ja të bëhet pjesë e pranueshme për çdo qytetarë që ai të shoh mundësinë, të shoh garën, konkurrencën, sepse kështu rritet vlera, kështu forcohet demokracia”.
“Sot është zhvilluar një garë brenda shtëpisë së BDI-së, këtu në këtë garë nuk ka hatërmbetje sepse përsëri je i shtëpisë, përsëri je vajzë, djalë, grua, burrë i një procesi 20 vjeçar që ke siguruar fitore për 20 vjet, për një çerek shekulli, nuk është punë e vogël dhe nuk është punë e vogël të marrësh guxim për të hapur procese të reja dhe zgjedhje të brendshme”.
“U zbatua demokracia e drejtpërsëdrejti jashtë mase duke e zbatuar parimin e një anëtari një votë por çdo strukturë e BDI-së që nga kryesia e këshillit vendor, kryetari i këshillit vendor, kryesia e degës deri tek kryetarët e degës”, ka thënë Ahmeti.
Më poshtë keni emrat e degëve në të cilat janë zgjedhur kryetarët:
Bogovinë – Besnik Emshiu;
Bërvenicë – Arkin Jahiji;
Zhelinë – Emir Sulejmani;
Vrapçisht – Nebi Rexhepi;
Tearcë – Nuhi Neziri;
Çashkë – Nafi Durmishi;
Studeniçan – Ejup Abazi;
Dollnen – Xhemil Qamili;
Gostivar – Valdet Xhaferi;
Tetovë – Faton Ahmeti.
