Agjenti i BIA-s dënohet me pesë vjet burgim për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit A.V., për veprën penale Spiunazhi dhe Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari A.V. pas marrëveshjes për pranim të fajësisë është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 (një mijë) euro, i cili aktgjykim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së të njëjtit, sa i përket dënimit me gjobë. Nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë gjobën, gjykata komfor nenit 43 paragrafi 3 i KPRK-së, mund të zëvendësojë dënimin me gjobë me dënim me burgim, ku një ditë burgim llogaritet me njëzet (20) Euro gjobë. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit duke filluar nga data 26.05.2024, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.

Gjykata me Aktvendim të veçantë, i ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurit A.V., deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.

Obligohet i pandehuri A.V. që në emër të shpenzimeve të procedurës, të paguaj paushallin gjyqësor në shumë prej 200.00€ (dyqind euro), ndërsa për programin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100.00€ (njëqind euro), e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, po ashtu konfiskohen sendet e sekuestruara sipas Urdhrit Ndalues Përfundimtar të Gjykatës PPPS.nr.30/24.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Kosova.info/


Go to TOP