Agjencia e Metrologjisë së Kosovës shënon Ditën Botërore të Metrologjisë
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës do të organizojë nesër shënimin e Ditës Botërore të Metrologjisë, me temën “Ndërtojmë Besim në Vendimmarrje”.
Ky aktivitet do të mbahet në Prishtinë, duke filluar nga ora 09:30, dhe synon të vë në pah rëndësinë e shkencës së matjes në jetën e përditshme, si dhe ndikimin e metrologjisë në zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e standardeve të besueshme.
Sipas njoftimit të MINTI-t, kjo ngjarje do të theksojë rolin e matjeve të sakta dhe standardeve ndërkombëtare në përmirësimin e cilësisë së jetës, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e besimit në proceset vendimmarrëse.
Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, ekspertë të fushës, partnerë vendorë e ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të mediave.
