Ademi optimist pas shortit të ‘Play-Off’-it: Nëse japim 100%, Kosova e kalon Sllovakinë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka komentuar sot shortin e hedhur në Cyrih, ku Kosova ka mësuar kundërshtarin e gjysmëfinales së “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Dardanët do të përballen me Sllovakinë më 26 mars 2026 në Bratislavë.

Ademi u shpreh se në këtë fazë çdo ndeshje është “si finale” duke theksuar forcën dhe nivelin e të gjitha ekipeve të përfshira, por megjithatë, ai mbetet optimist për kualifikimin në finale.

“Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shoh si favorit, por besoj se nëse japim 100% ne e kalojmë këtë hap për të shkuar deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë. Po të japim 100% me këta futbollistë që i kemi, dhe nëse ata janë mirë e pa lëndime, sigurisht se do ta arrijmë më të mirën”, deklaroi Ademi.

Kreu i FFK-së shprehu gjithashtu besimin se Kosova do ta kalojë me sukses gjysmëfinalen duke synuar finalen e madhe të “Play-Off”-it që do të zhvillohet më 31 mars 2026 në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumani.

“Besoj se hapin e parë do ta kalojmë”, theksoi Ademi.

Kosova tashmë ka filluar përgatitjet për sfidën e madhe në Bratislavë, me synimin për të siguruar historikisht pjesëmarrjen e parë në Kupën e Botës. /Kosova.info/


Go to TOP