Ademi dhe Foda takohen me Zenelin para ndeshjes me Suedinë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe përzgjedhësi i Kombëtares, Franco Foda,e kanë takuar futbollistin kosovar që luan në kampionatin suedez, Arbër Zeneli.
Kjo ka ndodhur në prag të ndeshjes mes Suedisë dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Ademi ka ndarë në rrjete sociale një mesazh të veçantë për Zenelin, duke e cilësuar atë si simbol të përkushtimit ndaj fanellës së Kosovës.
“Kombëtarja jonë është ndërtuar mbi talentin dhe përkushtimin e futbollistëve si Arbër Zeneli. Kënaqësi që ai sonte është pranë ekipit për ta përkrahur nga tribunat. Gjithmonë me zemër për Kosovën, brenda dhe jashtë fushës. Shpresojmë që sonte ta kemi edhe fatin në anën tonë”, ka shkruar Ademi.
Ndeshja zhvillohet sonte në stadiumin “Nya Ullevi” të Göteborg.
Arbër Zeneli, që aktualisht është pjesë e IF Elfsborg në Suedi, ka qenë për vite me radhë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës. Zeneli, i lindur dhe rritur në Suedi, kishte zgjedhur ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/
