Abdixhiku pret ambasadorin gjerman Rohde: Ngërçi institucional po cenon rendin kushtetues

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin ka zhvilluar një takim të rëndësishëm për situatën aktuale politike në vend.

Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht për zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë në ngërçin institucional që po e pengon formimin e institucioneve funksionale. Kryetari Abdixhiku theksoi domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë politike për të garantuar funksionalitetin institucional që i shërben interesit të qytetarëve.

Ai ritheksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke kritikuar partinë e parë për mungesën e vullnetit politik dhe për papërgjegjshmëri në procesin e formimit të institucioneve. Sipas tij, kjo sjellje po dëmton besimin e qytetarëve dhe po cenon parimet themelore të demokracisë dhe rendit kushtetues.

Kreu i LDK-së gjithashtu shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit të saj demokratik. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për të përballuar sfidat aktuale politike dhe për të avancuar rrugën euroatlantike të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP